VIZITË PUNE E DELEGACIONIT ZYRTAR NGA MBRETËRIA E BELGJIKËS NË INSTITUTIN PËR MJEKËSI LIGJORE
Delegacioni zyrtar nga Mbretëria e Belgjikës ka vizituar Institutin e Mjekësisë Ligjore në një vizitë pune treditore nga data 14-16 nëntor 2022. Delegacioni i përbërë nga gjyqtari hetues, prokurori i shtetit, eksperti mjeko-ligjor, zyrtarë policorë, të kryesuar nga znj. Eva Mielnicki – Menaxhere e Lartë në Ambasadën e Belgjikës, u mirëprit nga zv. Drejtori i Institutit për Mjekësi Ligjore, dr. Naim Uka dhe bashkëpunëtorët e tij, ku u pajtuan për procedurat dhe standardet në bazë të të cilave do të procedohej lënda.
Meqenëse kjo vizitë pune është realizuar në kuadër të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, ku ka qenë i përfshirë edhe Prokurori i Shtetit të Republikës së Kosovës, takimet dhe të gjitha procedurat tjera profesionale ndërshtetërore janë zhvilluar nën mbikëqyrjen e Prokurorit të Shtetit të Republikës së Kosovës.
Gjatë kësaj vizite pune, zyrtarët shtetërorë nga Mbretëria e Belgjikës vizituan edhe ambientet e punës së Institutit për Mjekësi Ligjore, ku shprehën mirënjohjen e tyre për mikpritjen dhe vlerësuan lartë punën profesionale të ekipeve të përbashkëta gjatë zbatimit të procedurës përkatëse mjeko-ligjore.
Delegacioni i Mbretërisë së Belgjikës ofroi të gjitha kapacitetet e veta profesionale në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm profesional me Institutin për Mjekësi Ligjore të Kosovës.