Sesionin informues mbi rolin e Institutit për Mjekësi Ligjore në trajtimin e rasteve të sulmeve seksuale dhe dhunës seksuale dhe rëndësinë e raportimit të ndjeshëm

 Instituti për Mjekësinë Ligjore, në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm me Misionin OSBE në Kosovë, ka qenë nikoqir i një sesioni informues për gazetarët lidhur me raportimin e ndjeshëm gjinor dhe raportimin e ndjeshëm ndaj të mbijetuarave/mbijetuarve të dhunës seksuale.

Ky aktivitet u mbajt në objektin e IML-së në Prishtinë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Këshillave mbikqyrës të mediave në Kosovë, Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, përfaqësuesve nga EULEX e OSBE dhe mjekëve ligjor.

Temat që u diskutuan ishin korniza ligjore vendore e ndërkombëtare lidhur me dhunën me bazë gjinore, ngacmimi dhe sulmi seksual, mandati i Institutit për Mjekësinë Ligjore në raport me dhunën seksuale si edhe raportimi i ndjeshëm ndaj viktimave të dhunës seksuale.

Konkluzion i përbashkët ishte se kufiri mes të drejtës për të informuar dhe të drejtës për privatësi është shumë i hollë dhe shumë lehtë shkelet, kurse njëri nga rekomandimet ishte se këto sesione informuese janë shumë të nevojshme dhe duhet të organizohen në vazhdimësi.