PJESËMARRJA E LABORATORIT TË TOKSIKOLOGJISË TË INSTITUTIT TË MJEKSËISË LIGJORE NË TESTET NDËRKOMBËTARE TË KOMPETENCËS

Instituti i Mjekësisë Ligjore, gjegjësisht Laboratori i Toksikologjisë, në muajin Maj 2021 ka marrë pjesë në testimin ndërkombëtar të kompetencës për analizën e alkoolit në gjak. Ky testim është organizuar nga Instituti Kombëtar i Toksikologjisë dhe Shkencave Forenzike në Sevilla të Spanjës. Instituti në fjalë ka dërguar mostrat e panjohura për Laboratorin tonë, përmes zingjirit të ruajtjes dhe më pas Laboratori ynë I ka analizuar ato mostra dhe ka dërguar rezultatet në Spanjë.

Pas 14 ditë pune kemi pranuar email nga IKTSHF-ja me raportin zyrtar të rezultateve të testimit. Në bazë të këtij raporti, Laboratori ynë ka rezultat që i përgjigjet 99.9% të përqendrimit teorik të mostrave krahasuese të analizuara. Gjithashtu në bazë të evaluimit të rezultatit – [1]Z-score kemi rezultuar në dy mostra me Z-score 0.00 dhe njëren -0.33 që paraqet rezultat identik me rezultatin mesatar.

Vlen të ceket që ky rezultat e ka ranguar IML-në në mesin e 10 laboratoreve më të sakta, prej 55 laboratoreve pjesëmarrëse nga e tërë bota.

 

  • Çka është Alcohol Proficiency Test (PT)?

Proficiency Test (PT) ose testi i kompetencës përcakton përformancën e Laboratorëve individual për teste ose matje specifike. Ky testim përdoret për të monitoruar performancën e vazhdueshme të laboratoreve duke krahasuar rezultatet e matjes së një Laboratori me laboratorët e tjerë krahasues.  Testi i aftësisë ndryshe quhet edhe krahasim ndërlaboratorik që nënkupton krahasimin e rezultateve të matjes nga laboratorë të ndryshëm.

 

  • Çka arrihet me PT?

Me pjesëmarrje në testimin e aftësisë përveç vlerësimit dhe monitorimit të performancës së laboratorit  bëhet edhe verifikimi i funksionimit të teknologjisë për kryerjen e testit-matjes specifike. Testimi i aftësisë është kusht i domosdoshëm për laboratorët që dëshirojnë të akreditohen në standardin e menaxhimit të cilësisë sipas Organizatës Ndërkombëtare për Standardizim (ISO) 17025, i cili siguron bazën e akreditimit laboratorik.

[1] Z-score – Është matje numerike që përshkruan lidhjen e një vlere me mesataren e një grupi vlerash. Z-score matet me devijimin standard nga mesatarja. Nëse Z-score është 0, kjo tregon që rezultati i pikës së të dhënave është identik me rezultatin mesatar