Ministri Kuçi pranoi raportin mbi Shërbimet Mjeko -Ligjore
Ministri i Drejtësisë, Prof. Hajredin Kuçi ka pranuar një raport nga Dr. Sinikka Salo mbi progresin e projektit të financuar nga BE-ja, projekti IPA “Fuqizimi dhe modernizimi i shërbimeve të mjekësisë ligjore në Kosovë”. Përmes këtij projekti, Ministria e Drejtësisë ka për qëllim fuqizimin e sundimit të zbatimit të ligjit dhe sistemit gjyqësor transparent, me një përqendrim në shërbimet e mjekësisë ligjore, duke përfshirë Operacionin për Personat e Zhdukur, në Departamentin e Mjekësisë Ligjore (DML) nën administrimin e saj. Në Kosovë, DML është institucioni i vetëm përgjegjës për shërbimet mjeko -ligjore.
Projekti ka filluar në shkurt të vitit 2014 dhe do të vazhdojë deri në shkurt 2017. Gjatë takimit u diskutuan rezultatet kryesore të aktiviteteve gjatë periudhës së kaluar dy vjeçare. Puna përqendrohet në zhvillimin e kapaciteteve teknike dhe njerëzore, duke fuqizuar po ashtu dhe strukturat administrative të DML. Projekti ndihmon Departamentin për t’u bërë plotësisht funksional duke aplikuar standardet evropiane dhe ndërkombëtare dhe praktikat më të mira në punën e saj.
Projekti ka siguruar një përmirësim të dukshëm në kapacitetet teknike dhe burimeve njerëzore. Një program trajnimi intensiv duke sjellë njohuri të fundit mbi mjekësinë ligjore është realizuar për të përmirësuar aftësinë e stafit të DML për të ofruar shërbime të mjekësisë ligjore të përcaktuara në legjislacion. Komunikimi me gjyqtarët, prokurorët, avokatët mbrojtës, policinë dhe shoqërinë civile ka qenë i frytshëm. Projekti ka mbështetur procesin e legjislacioneve të reja për mjekësinë ligjore. DML ka ndërtuar bashkëpunim me disa organizata kombëtare dhe ndërkombëtare që kanë të bëjnë me mjekësinë ligjore.
“Fuqizimi dhe modernizimi i shërbimeve të mjekësisë ligjore në Kosovë” është projekt i financuar nga BE i menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe zbatuar nga Instituti Kombëtar për Shëndetësi dhe Mirëqenie i Finlandës dhe Departamenti i Mjekësisë Ligjore në Universitetin e Helsinkit.