Ma thuaj me kohë

Instituti i Mjekësisë Ligjore në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, të mbështetur financiarisht nga EULEX, kanë organizuar fushatën vetëdijësuese të titulluar “MA THUAJ ME KOHË”, e cila ka për synim informimin e publikut lidhur me ruajtjen e provave biologjike te rastet e dhunës seksuale.

Me datë 09.09.2019 është mbajtur tryeza e rrumbullakët me Institucionet relevante të përfshira në trajtimin e rasteve të dhunës seksuale, tryezë kjo që ka shënuar fillimin e fushatës.

Në këtë tryezë mori pjesë si mysafire nderi edhe ish – Presidentja e Kosovës, Znj. Atifete Jahjaga, e cila me angazhimin e saj ka pasë një ndikim të jashtëzakonshëm në masovizimin e çështjes së viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në adresimin e saj për të pranishmit, Presidentja Jahjaga u përqendrua tek të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, për të kontribuar në diskutim nga një perspektivë tjetër. “Kanë kaluar më shumë se dy dekada që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Me kalimin e kohës, plagët e mijëra grave dhe burrave që janë dhunuar gjatë luftës nuk janë shëruar, shpirtrat e tyre nuk e kanë gjetur qetësinë. Duke e bartur barrën e një krimi të patreguar, të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ende nuk kanë gjetur paqe me të kaluarën e tyre.

 

 

Kjo është arsyeja pse të gjithë ne duhet të bashkohemi, të jemi të bashkuar dhe të krijojmë hapësirë dhe kushte të nevojshme që ata të flasin.

Znj. Tarja Formisto, zëvendës drejtoreshë e IML nga EULEX ka theksuar se tani është koha për ngritjen e vetëdijes publike se çka është dhuna seksuale dhe për të dhënë informata rreth asaj se si të veprohet dhe si të raportohen rastet e dhunës seksuale. “Kjo fushatë ka të bëjë me këtë – këshilla të qarta dhe të thjeshta dhe mbështetje për secilin, në mënyrë q

ë të gjithë ne t’i kryejmë detyrat tona për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga trauma dhe dhimbjet e keqtrajtimeve seksuale,” tha Formisto.

Dr Arsim Gërxhaliu, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Mjekësisë Ligjore, tha se Instituti i Mjekësisë Ligjore mbetet i përkushtuar që të ofrojë shërbime sa më cilësore për viktimat e dhunës seksuale dhe shtoi: “Kjo fushatë sensibilizuese është një përpjekje, përtej detyrës zyrtare, për t’i ndihmuar ata/ato. Po ashtu përmes këtij projekti duam ta nxisim diskutimin ndërinstitucional me qëllim përmirësimin e trajtimit të këtyre rasteve në të gjitha hallkat”​.

 

Meqë statistikat e Institutit të Mjekësisë Ligjore tregojnë se shumica e viktimave të dhunës seksuale janë të moshës 11 deri 16 vjeçare, kjo fushatë synon të komunikojë drejtpërdrejtë me nxënësit e shkollave mbi rëndësinë e ruajtjes së provave biologjike në rastet e dhunës seksuale, si dhe për të dhënë informata praktike ku mund të drejtohen ata/ato në rast se janë viktima të një krimi të tillë.

 

“Ky është kontributi ynë direkt për t’i ndihmuar viktimat që ta arrijnë drejtësinë dhe ta thyejmë heshtjen që i rrethon ata që kanë diçka për të thënë dhe ata që duhet të dëgjojnë,” tha Dr. Bergita Curri, Specialiste e mjekësisë ligjore në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

 

Projekti do të zgjasë 9 muaj dhe synon të përfshijë gjithsejt 32 shkolla në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.