Grupi Punues nga Instituti i Mjekësisë Ligjore ka mbajtur punëtorinë dyditore për hartimin e draft-UA për Procedurat e Ekzaminimeve Mjeko Ligjore

Në bashkëpunim dhe me mbeshtetjen e Projektit IPA-2, Grupi Punues nga Instituti i Mjekësisë Ligjore ka mbajtur punëtorinë dyditore për hartimin e draft-Udhëzimit Administrativ  për Procedurat e Ekzaminimeve Mjeko Ligjore.

Bazuar në Ligjin për Mjekësinë Ligjore jemi të obliguar të nxjerrim aktin nënligjor për Procedurat Mjeko Ligjore, që kanë të bëjnë me

  • hetimin mjekësor të vdekjes, autopsinë mjeko ligjore, marrjen e mostrave për analiza laboratorike (histopatologjike, toksikologjike etj), e që ndërlidhen me shkakun, mekanizmin, menyren e vdekjes etj.
  • procedurat e dorezimit të trupit të pajetë tek familjaret dhe varrimin,
  • procedurat e zhvarrimit të mbetjeve mortore, që ndërlidhet me kërkimin, gjetjen, përcaktimin e fatit, identifikimin dhe dorëzimin e personave të zhdukur me dhunë nga lufta në Kosovë,
  • procedurat e ekzaminimit klinik mjeko ligjor që ndërlidhen me përcaktimin e mjetit, shkallën e lëndimeve trupore, humbjen e aftësisë pë punë, gjendjen shëndetësore, me rastet e veprave penale kundër integritetit seksual, rastet e përcaktimit të moshës, identitetit të një personi, shkallës së dehjes alkoolike dhe intoksikimit me lëndë narkotike etj
  • procedurat e krijimit te komisioneve mjekësore dhe mjeko ligjore për trajtimin e lëndëve gjyqësore bazuar në dokumentacionin e shkresave gjyqësore

Gjatë këtyre dy ditëve Grupi Punues, ka punuar intensivisht në këtë draft dhe si rezultat i kësaj tanimë kemi një draft fillestar i cili pasi të kompletohet, më tutje do të përcillet në Ministrinë e Drejtesisë për procedura të mëtejme.

Me këtë akt nënligjor Instituti i Mjekësisë Ligjore do të plotësohet edhe më tej me legjislacionin e nevojshëm dhe do të jemi edhe më afër me legjislacionin dhe praktikat më të mira evropiane.